Tranzicioni energjetik dhe investimet në burime të energjisë diellore në Kosovë.

1/26/2022

Në Kosovë, konsumi i energjisë elektrike është kontribuesi kryesor në emetimin e gazrave serrë dhe dioksidit të karbonit për sektorin e industrisë, atë komercial dhe ekonomive familjare. Ky kontribut ndërlidhet me faktin që 95% e prodhimit të energjisë elektrike sigurohet nga thëngjilli ose linjiti, ndërsa pjesa tjetër nga burimet e ripërtërishme. Pjesa më e madhe e energjisë elektrike sot prodhohet nga termocentralet me teknologji të vjetërsuar, rrjedhimisht me një kosto të ulët prodhimi dhe me besueshmëri të lartë. Rreth 5% e kapacitetit të instaluar është nga prodhimi i energjisë së ripërtërishme.

Megjithatë, në njërën anë, shqetësimet për qëndrueshmërinë afatgjatë të prodhimit të bazuar në lëndë djegëse fosile, veçanërisht shqetësimet e ndërlidhura me ndryshimet klimatike dhe kostot e ardhshme mjedisore kryesisht të pa llogaritura, po e shtyjnë industrinë energjetike drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë së ripërtërishme, me emetim të ulët të dioksidit të karbonit. Pritjet e komunitetit të energjisë për këtë ndryshim janë të larta dhe politikat qeveritare gjithashtu duhet të shtyjnë industrinë energjetike në këtë drejtim.

Në anën tjetër, duket sikur jemi duke shkuar drejtë një krize globale energjetike. Evropa që nga Shtatori 2021 është duke u përballur me rritje të çmimit të energjisë elektrike deri në 230%.  Pse është duke ndodhur kjo? Shpjegimi më i thjeshtë është sepse kërkesa për energji aktualisht është duke tejkaluar ofertën, gjë që bënë çmimet të rriten. Arsyet për këtë janë nga më të ndryshmet duke filluar nga rritja e çmimit të gazit, ringjallja e ekonomisë pas Covid-19, rritje e taksës së karbonit për 76% (nga 34 Euro në mes të janarit 2021 në gati 60 Euro në tetor 2021). Për më tepër shumë vende në botë për qëllime të mira dhe të mirëseardhura mjedisore kanë ndaluar të investojnë në lëndë djegëse dhe siç duket deri më tani nuk ka energji të pastër/ripërtrishme të mjaftueshme për të zëvendësuar lëndët djegëse. 

Kuptohet që shoqëritë moderne nuk mund të funksionojnë pa qasje të qëndrueshme në energji, andaj edhe kur krizat të tilla ndihen, qeveritë bëjnë çdo gjë që është e mundur që të ofrojnë energji elektrike. Andaj shqetësimi shtohet se ato mund të ridrejtohen në përdorimin e lëndëve djegëse duke krijuar kontradikta gjatë themelimit të strategjive.

Aktualisht tregu i energjisë në Kosovë është shumë i varur nga prodhimi i energjisë nga lëndët djegëse fosile dhe kjo e bënë Kosovën me miksin më të keq  të energjisë elektrike në rajon për nga aspekti I ndikimit në mjedis dhe shoqëri. Për këtë fakt, dhe duke qenë se Kosova importon energji elektrike mesatarisht prej 12– 18 % në vit, Kosovës i duhet një strategji serioze e tranzicionit energjetik, strategji e cila do të njohë faktin se duhet reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit shpejtë dhe rrjedhimisht të menaxhohet rritja e çmimit të energjisë elektrike  (i cili duket i pa evitueshëm) në mënyrë graduale.  

Andaj, për të kaluar tranzicionin energjetik, Kosova medoemos duhet të rris kapacitetet e prodhimit duke bërë një miks nga të gjitha burimet e ripëtrishme të energjisë. 

Nga energjitë e ripërtërishme, energjia diellore është zgjidhja që ofron më së shumti mundësi për zvogëlimin e emetimit të gazrave serrë për të ndihmuar në luftimin e ngrohjes globale dhe në përgjithësi për të ofruar potencial të lartë në prodhimin e energjisë elektrike. Fatkeqësisht, nga prodhimi total i energjisë elektrike në Kosovë (përfshirë sistemet jashtë rrjetit elektrik) vetëm 1% është nga energjia diellore.

Teknologjia e energjisë diellore e cila mbështetet në një burim të pashtershëm të energjisë primare, është e dëshmuar teknikisht dhe tashmë ofron arsyeshmëri ekonomike të investimit duke ofruar mundësi të përdoret nga të gjitha nivelet e një shoqërie, që nga ai institucional, industrial dhe së fundmi nga individ privat apo ekonomitë familjare. 
Këto investime kanalizohen përmes:

  •  Centraleve të mëdha dhe të centralizuara të prodhimit të energjisë;
  •  Sisteme fotovoltaike më të vogla të shpërndara ose decentralizuara;
  •  Dhe në shkallë të ulët, në nivel të konsumatorit individual - sistemet fotovoltaike në kulme për vete konsum;

Për fund, theksoj se për bankën ProCredit minimizimi i ndikimit negativ në mjedis dhe promovimi pro aktiv i një mënyre të qëndrueshme të bërjes së biznesit është një pjesë përbërëse e strategjisë sonë. Marrë parasysh impaktin që kanë investimet e sistemeve fotovoltaike në reduktimin e gazrave serrë, ne si bankë kemi qenë proaktiv në treg që nga viti 2017 duke promovuar dhe financuar këto investime. 
Sipas vlerësimit tonë të brendshëm, deri në nëntor 2021 ne kemi financuar 60% të kapacitet të instaluar në sisteme fotovoltaike për vetë konsum në Kosovë, nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Gjithsejte 57 projekte me kapacitet të instaluar prej 9,7 Mwp. 

Ne vazhdimisht investojmë në kualifikim të stafit duke krijuar ekspertizë të lartë, gjë që na ka mundësuar që të jemi lider të tregut në financim të sistemeve solare  dhe gjithashtu të jemi katalizator i tranzicionit të qëndrueshëm energjetik. 

Fatos Hasani
Udhëheqës i Njësisë për Menaxhimin Mjedisor
Banka ProCredit Kosovë