Është vendi ynë. Ta mbajmë pastër
ProCredit Bank, si një institucion i përgjegjshëm financiar dhe ekologjikisht miqësor, ka
ndërmarrë fushatë vetëdijesimi në fushën e mbrojtjes mjedisore me moton ‘Është vendi ynë. Ta mbajmë pastër’. Me këtë fushatë, ProCredit Bank synon që qasjen e vet proaktive në mbrojtjen e mjedisit ta shtrijë tutje, duke kontribuar për një ambient të pastër dhe të gjelbër në Kosovë.
Ne besojmë se kualiteti i jetës pashmangshëm ka të bëjë me kualitetin e ambientit ku jetojmë dhe punojmë. Kështu, fushata thekson rëndësinë e të jetuarit në një ambient të pastër dhe ndikimin në shëndet, gjithnjë duke u bazuar në pikëpamjen se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e secilit prej nesh.
Prandaj ProCredit Bank është e përkushtuar në aplikimin e politikave, përmes së cilave menaxhohet ndikimi në mjedis i aktiviteteve tona operacionale dhe afariste. Në këtë kontekst banka ka themeluar Komitetin e vet Mjedisor në kuadër të përgjegjësisë sonë shoqërore. Komiteti Mjedisor mbikëqyr zbatimin e politikave ekologjikisht miqësore, të cilat vazhdimisht avancojnë performancën mjedisore të bankës.
Në fakt, kujdesi ndaj çështjeve mjedisore ka kohë që është artikuluar nga ProCredit Bank, duke qenë banka e parë në Kosovë që ka ofruar eko kredi për investime në shtëpi dhe biznese për të kursyer energjinë.
Po ashtu, degët e ProCredit Bankës po ndërtohen me teknologjinë bashkëkohore të shfrytëzimit eficient të energjisë, duke qenë shembull praktik i operimit të objekteve të gjelbra në Kosovë.
Fushata ‘ËSHTË VENDI YNË. TA MBAJMË PASTËR’ i adresohet publikut të gjerë, duke zgjeruar tutje qasjen gjithëpërfshirëse të ProCredit Bankës në favor të mjedisit. Kjo iniciativë përbën në vete elemente vetëdijësimi dhe veprimi.
Pjesë përbërëse e fushatës është investimi për hapësira të gjelbra – më saktësisht investimi në hapësira publike të pastruara në kuadër të nismës qytetare ‘Ta Pastrojmë Kosovën’. Në bashkëpunim me këtë nismë dhe autoritetet përkatëse komunale janë identifikuar një sërë vendesh, në të cilat po investohet për t’u bërë vende më të gjelbra dhe të përshtatshme për qëndrim nga qytetarët që banojnë në afërsi të tyre.
Fushata mjedisore e ProCredit Bankës ‘Është vendi ynë. Ta mbajmë pastër’ përcjell mesazh vetëdijesimi se secili prej nesh mund të japë kontributin e vet për një Kosovë të pastër dhe të gjelbër. Andaj, me rëndësi është që të gjithë ne, pavarësisht profilit të punës sonë, të kontribuojmë vazhdimisht në ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.
Ne besojmë fuqishëm që bashkërisht mund t’ia dalim që shtëpinë tonë të përbashkët, pra ambientin rreth nesh, ta mbajmë pastër dhe gjelbër për ne dhe gjeneratat pas nesh.