Mëso më shumë

Të nderuar shfrytëzues të shërbimeve bankare,

Përgjatë 11 vjetëve të kaluara sektori bankar i Kosovës është zhvilluar në mënyrë shumë dinamike, dhe sot ekzistojnë 7 banka, të cilat i ofrojnë shërbimet e veta qytetarëve. Edhe pse 11 vjet më parë jo të gjithë kanë pasur përvojë në marrëdhëniet me një bankë, ato sot çdo ditë më tepër po bëhen pjesë e jetës tonë të përditshme dhe ne tani nuk mund të imagjinojmë jetën tonë pa to.

Sektori bankar në Kosovë është një nga sektorët më të zhvilluar dhe të modernizuar të ekonomisë, dhe nëpërmjet ndërmjetësimit financiar ky sektor është një kontribues i fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Për më tepër, sektori bankar është një nga punëdhënësit më të mëdhenj të profesionistëve të rinj, i cili studentëve të sapodiplomuar u ofron mundësi që të fillojnë një karrierë.

Me zhvillimin e shpejtë të sektorit bankar dhe rritjen e konkurrencës ndërmjet bankave, numri dhe larmia e shërbimeve bankare është gjithashtu në rritje me një ritëm të shpejtë dhe konsumatorët janë duke shfrytëzuar këto shërbime për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, veçanërisht duke marrë kredi.

 

Megjithatë, duhet të kemi parasysh se një rritje e shpejtë ka edhe anët negative. Po bëhet mjaft e vështirë për konsumatorët të orientohen brenda një morie  produktesh dhe shërbimesh dhe të jenë në gjendje të zgjedhin shërbimin e duhur për të përmbushur nevojat e tyre. Zhvillimi i shpejtë i shërbimeve bankare nuk ka ecur krah për krah me ritmin e njohurive financiare të qytetarëve.

Ne në Bankën ProCredit besojmë fuqimisht se është absolutisht thelbësore që publiku i gjerë të ketë njohuri themelore në lidhje me bankat dhe shërbimet e tyre, dhe pastaj të mund të marrë vendime të mençura dhe të përgjegjshme për zgjedhjen e bankës dhe shërbimeve që i nevojiten, e posaçërisht kur të marrin kredi. Prandaj qëllimi i kësaj faqe është t’ju ofrojë informata gjithëpërfshirëse për bankat dhe shërbimet e tyre të prezantuara në mënyrë të thjeshtë.

Kryesisht ne do të donim të tërhiqnim vëmendjen tuaj për gjërat më të rëndësishme që klienti duhet t­’i dijë kur merr një kredi dhe kur hap një llogari kursimi. Kjo faqe është hartuar kryesisht për klientët privatë, megjithatë, disa nga informacionet e paraqitura do të jenë interesante dhe të dobishme edhe për bizneset.

Ne sinqerisht shpresojmë se kjo faqe do t’ju shërbejë si një udhëzues gjatë punës suaj me bankat, do t’ju ndihmojë që të bëni pyetjet e duhura kur shfrytëzoni shërbimet e një banke dhe t’ju ndihmojë që të merrni vendime të drejta për zgjedhjen e shërbimeve që do t’ju shërbejnë nevojave tuaja në mënyrën më të mirë të mundshme.

Iniciativa është mbështetur nga Banka Qendrore e Kosovës.

Shpendaj