ProCredit Bank vazhdon mbështetjen për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest

DokuFest padyshim se është njëra ndër ngjarjet më të mëdha kulturore që ndodhin në Kosovë dhe që ka jehonë edhe ndërkombëtare.

ProCredit Bank në vazhdimësi kontribuon në shoqëri në përpjekje për të përmirësuar kushtet për zhvillimin kulturor e social të të rinjve kosovarë. Edhe bashkëpunimi që ProCredit Bank ka me DokuFest-in është dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të ProCredit Bank-ës karshi zhvillimit social dhe kulturor në shoqërinë tonë.

Këtë vit DokuFesti shënon edicionin e 10-të jubilar, prej 23 - 31 korrik 2011 në Prizren. Ky edicion pritet të jetë edicioni më i madh i organizuar deri më tani, si për nga numri i programeve garuese, filmave që do të prezantohen, programeve speciale, punëtorive për filma dokumentarë dhe të shkurtër, ashtu edhe për nga numri i mysafirëve dhe nga prezenca mediale nga  vendi dhe jashtë.

ProCredit Bank edhe këtë vit është sponsor gjeneral i Dokufest, ndërkohë që për klientët e bankës sonë të cilët duan të përcjellin këtë festival, ProCredit Bank ofron 50 % zbritje për të gjithë klientët që paguajnë biletën me njërën nga kartelat e bankës sonë.

ProCredit Bank dhe Dokufest ju ftojnë të jeni pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, festivalit më të madh që organizohet në Kosovë.