ProCredit vendos për një tranzicion në udhëheqje 

4/23/2025

ProCredit vendos për një tranzicion në udhëheqje 

  • Eriola Bibolli emërohet Kryesuese e ardhshme e Bordit Menaxhues
  • Ajo pritet ta marrë këtë pozitë më 1 mars 2026 nga Hubert Spechtenhauser, pas përfundimit të rregullt të kontratës së tij
  • Pas largimit nga pozita e Kryesuesit të Bordit Menaxhues, në fund të shkurtit 2026, Hubert Spechtenhauser do të mbetet i angazhuar në grupin ProCredit si anëtar i Bordit Mbikëqyrës të bankave ProCredit

Frankfurt am Main, 4 prill 2025 – Bordi Mbikëqyrës i ProCredit Holding AG ka emëruar znj. Eriola Bibolli (50) si Kryesuese të ardhshme të Bordit Menaxhues dhe si pasuese të z. Hubert Spechtenhauser (62). Në mars të vitit 2024, me kërkesë të Bordit Mbikëqyrës, z. Hubert Spechtenhauser kishte pranuar vazhdimin e hershëm të emërimit të tij si Kryesues i Bordit Menaxhues edhe për një vit tjetër, deri në fund të shkurtit 2026. Që atëherë, Komiteti i Emërimeve i Bordit Mbikëqyrës ka qenë i angazhuar në një proces të strukturuar të kërkimit të kandidatëve, si brenda ashtu edhe jashtë institucionit, dhe i ka rekomanduar Bordit Mbikëqyrës znj. Eriola Bibollin si pasuese të z. Spechtenhauser. Bordi Mbikëqyrës e ka pranuar këtë rekomandim dhe ka emëruar znj. Eriola Bibolli si Kryesuese të Bordit Menaxhues të ProCredit Holding AG, me efekt prej 1 marsit 2026.


Z. Rainer Ottenstein, Kryesues i Bordit Mbikëqyrës të ProCredit Holding, shpjegoi: “Me Eriola Bibollin kemi gjetur një pasuese ideale për të udhëhequr ProCredit Holding. Znj. Bibolli ka qenë pjesë e grupit ProCredit për më shumë se 20 vjet dhe gjatë kësaj kohe ka mbajtur një sërë pozitash menaxheriale, përfshirë edhe pozitën e anëtares së Bordit Menaxhues dhe Drejtoreshës Gjenerale të bankës sonë shumë të suksesshme në Kosovë, si dhe që nga qershori 2023, pozitën e anëtares së Bordit Menaxhues të ProCredit Holding. Falë përvojës së saj shumëvjeçare brenda organizatës sonë, ajo përfaqëson vlerat e grupit tonë bankar të orientuar drejt ndikimit, i njeh tregjet tona më mirë se askush dhe është e familjarizuar me operacionet tona si me klientët e biznesit, ashtu edhe me klientët privatë”. 


Eriola Bibolli deklaroi: “Jam mirënjohëse për besimin që më ka dhënë Bordi Mbikëqyrës. Jam e nderuar dhe mezi pres që të marr pozitën e Kryesueses së Bordit Menaxhues në ProCredit Holding, kompania mëmë e një grupi bankar që përfaqëson integritetin, inovacionin dhe ndikimin. Përgjatë historisë së saj, ProCredit ka qenë më shumë sesa thjesht një institucion financiar – ka qenë një forcë për ndryshime pozitive, duke mbështetur bizneset, duke nxitur rritjen e qëndrueshme dhe promovuar përfshirjen financiare. Duke parë përpara, ne do të fokusohemi në fuqizimin e pozitës sonë udhëheqëse në shërbimet bankare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe në zhvillimin e rolit tonë si partner i besueshëm për klientët privatë. Në këtë kohë të ndryshimeve të shpejta, do të shfrytëzojmë procesin e digjitalizimit dhe inovacionit për të përmirësuar përvojën e klientëve dhe efikasitetin operativ, duke siguruar që ProCredit të jetë gjithmonë një hap përpara në përgjigjen ndaj nevojave gjithnjë në zhvillim të klientëve. Punonjësit tanë janë zemra e suksesit tonë – ata janë ekipi i talentuar dhe i përkushtuar që e çon përpara vizionin tonë. Me padurim pres të punoj me ta për të forcuar edhe më tej themelet tona të qëndrueshme, për të rritur ndikimin tonë në ekonomitë të cilave iu shërbejmë dhe për të krijuar vlerë afatgjate për aksionarët tanë. Ne jemi shumë të përkushtuar për zbatimin e strategjisë sonë afariste dhe do të vazhdojmë të përqendrohemi në arritjen e objektivave tona strategjike dhe financiare afatmesme, të cilat i kemi prezantuar në tregun e kapitalit një vit më parë”.


Hubert Spechtenhauser ka qenë anëtar i Bordit Menaxhues të ProCredit Holding AG që nga marsi i vitit 2022 dhe Kryesues i Bordit Menaxhues që nga nëntori i vitit 2022. Para se t’i bashkohej grupit ProCredit, karriera e tij profesionale përfshinte pozita menaxheriale brenda UniCredit Group, Landesbank Hessen-Thüringen (Helaba) Group dhe Commerzbank Group. Eriola Bibolli iu bashkua grupit ProCredit në vitin 2001, ishte anëtare e Bordit Menaxhues të bankës ProCredit në Kosovë nga viti 2007 deri në vitin 2019 dhe ka shërbyer si Drejtoreshë Gjenerale e saj nga viti 2019 deri në 2023. Ajo ka qenë anëtare e Bordit Menaxhues të ProCredit Holding AG që nga qershori 2023 dhe aktualisht është përgjegjëse për të gjitha fushat e biznesit që kanë të bëjnë me klientët.

Kontakti: 
Petra Vielhaber, Njësia për Komunikim e Grupit, ProCredit Holding, Tel.: +49 69 951 437 249, 
E-mail: petra.vielhaber@procredit-group.com 
Rreth ProCredit Holding AG
ProCredit Holding AG, me seli në Frankfurt am Main, Gjermani, është kompania mëmë e grupit me orientim zhvillimor ProCredit, i cili përbëhet nga banka komerciale për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) si dhe për individë privatë, duke nxitur zhvillimin ekonomik, ekologjik dhe social. Fokusi operacional i grupit është në Evropën Juglindore dhe Lindore. Përveç këtij fokusi rajonal, grupi ProCredit është aktiv edhe në Amerikën Jugore dhe në Gjermani. Aksionet e kompanisë tregtohen në segmentin “Prime Standard” të Bursës së Frankfurtit. Aksionarët kryesorë të ProCredit Holding AG janë Zeitinger Invest GmbH, KfW, Dutch DOEN Participaties BV, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe ProCredit Staff Invest GmbH & Co. KG. Si kompani mbizotëruese e grupit, sipas Ligjit Gjerman për Banka, dhe si kompania mëmë e grupit financiar ProCredit, ProCredit Holding AG mbikëqyret në nivel të përbashkët nga Autoriteti Federal Gjerman i Mbikëqyrjes Bankare (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe nga Bundesbanka Gjermane. Për informata shtesë, vizitoni: https://www.procredit-holding.com/
Deklaratat parashikuese 
Kjo komunikatë për shtyp përmban deklarata që lidhen me zhvillimin e ardhshëm të biznesit dhe/ose performancën e ardhshme financiare dhe/ose veprimet dhe/ose zhvillimet e ardhshme që ndikojnë në ProCredit Holding (deklarata parashikuese). Deklaratat e tilla parashikuese bazohen në pritshmëritë aktuale të Menaxhmentit të ProCredit Holding dhe në supozime specifike, të cilat pjesërisht janë përtej kontrollit të ProCredit Holding. Rrjedhimisht, këto deklarata parashikuese i nënshtrohen një sërë pasigurish. Nëse një ose më shumë prej këtyre pasigurive materializohen, ose nëse supozimet ose pritshmëritë rezultojnë të pazbatueshme, atëherë kushtet aktuale (qoftë negative apo pozitive) mund të dallojnë në mënyrë domethënëse nga ato të shprehura ose të nënkuptuara në deklaratat parashikuese. Përveç detyrimeve ligjore të domosdoshme, ProCredit Holding nuk merr përsipër asnjë detyrim për t’i përditësuar këto deklarata parashikuese apo për t’i korrigjuar ato.