EIB dhe ProCredit Bank nënshkruajnë linjë kreditore 10 milion euro për mbështetjen e bizneseve

Prishtinë, 14 Nëntor - Banka Evropiane për Investime (EIB) dhe ProCredit Bank kanë nënshkruar linjën kreditore në vlerë prej 10 milion euro, linjë kjo e cila do të mbështet ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme në Kosovë. EIB është përfaqësuar nga Zëvendës-Presidenti Dario Scannapieco, përgjegjës për operimet në Ballkanin Perëndimor; ndërsa ProCredit Bank Kosova nga Drejtori Gjeneral Ilir I. Aliu.                                                        

Kjo linjë kreditore shënon operimin e parë të EIB-së në Kosovë pas ratifikimit të marrëveshjes së re kornizë, e nënshkruar qershorin e kaluar dhe kështu do të financohen bizneset, veprimtaria afariste e të cilëve kontribuon në zhvillim dhe punësim në Kosovë. 

Linja kreditore do t’ju disbursohet klientëve të biznesit të ProCredit Bankës të cilët janë aktiv në sektorët e prodhimtarisë, tregtisë dhe shërbimeve, dhe të cilët përmbushin standardet etike, sociale dhe ambientale të bankës. Kjo marrëveshje është shenjë e qartë e mbështetjes së fuqishme të të dyja institucioneve në ndërtimin e një sektori të qëndrueshëm privat në Kosovë.  
 
“Ne jemi krenar për njoftimin e sotëm sepse kjo tregon se EIB ka kaluar me shpejtësi nga marrëveshja institucionale në operim dhe mbështetje konkrete të ekonomisë kosovare, po ashtu falë bashkëpunimit më Qeverinë dhe Zyrën Evropiane në Prishtinë; ky operim do të mbështet NVM-të përmes bashkëpunimit të mirë me Grupin ProCredit, po ashtu në vende të tjera të rajonit”, ka thënë Zëvendës-Presidenti Scannapieco.

Drejtori Gjeneral i ProCredit Bankës në Kosovë, Ilir I. Aliu, veçon rëndësinë e kësaj ngjarje në Kosovë: “Ky është sinjal i mirë për investimet e huaja në vend, dhe lajm i mirë për komunitetin e biznesit. Nënshkrimi i kontratës së sotme po ashtu reflekton parimet dhe qëllimet e përbashkëta të dy institucioneve dhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet Bankës Evropiane për Investime dhe ProCredit, si dhe përkushtimin tonë të përbashkët në promovimin e zhvillimit dhe punësimit duke i mbështetur ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme”. Kjo kontratë është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet EIB dhe ProCredit Holding.

Gjatë një periudhe dy vjeçare, linja kreditore prej 10 milion eurove do të disbursohet në formë të kredive afat-gjate për ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme.