
Prishtinë, 04 Mars 2014 - Fondi Evropian për Investime (EIF) dhe ProCredit Bank Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje garancie prej 20 milion Euro për të mbështetur ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme (NVM-të) në Kosovë në kuadër të programit për zhvillim të ndërmarrjeve dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF).
Një marrëveshje e tillë do t’i mundësojë ProCredit Bank të ofrojë financim shtesë dhe të mbështesë zhvillimin e ndërmarrjeve shumë të vogla, të vogla dhe të mesme gjatë 2 viteve të ardhshme.
Kreditë e ofruara nga ProCredit Bank sipas kësaj marrëveshje do te jepen për sipërmarrësit me kushte preferenciale dhe me maturitetet deri në 10 vjet. Kredit do të jepen për kapital punues dhe investime, si dhe për bizneset të cilët përmbushin standardet etike, sociale dhe ambientale të bankës. Kompanitë mund të përfitojnë nga kushtet më të mira duke tërhequr kredi me këste, linja kreditore, overdraft etj.
Programi për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Inovacion (WB EDIF) promovon shfaqjen dhe rritjen e kompanive inovatore dhe me potencial të madh si dhe krijimin e një tregu rajonal të kapitalit për Investim. 145 milion eurot e grumbulluara përmes këtij programi nga BE, institucionet financiare ndërkombëtare (IFI), përfituesit dhe donatorët e ndërsjellë do të shndërrohen në mënyrë efektive në mbi 300 milionë euro të financimeve të drejtpërdrejta për NVM-të në rajon.
Hubert Cottogni, Drejtori Rajonal për Zhvillim Afarist, tha: “Me këtë nënshkrim, Fondi Evropian për Investime e bën investimin e parë të tij në tregun e NVM-ve në Kosovë, duke ndjekur për së afërmi hapat e hedhur nga Banka Evropiane e Investimeve, e cila ka nënshkruar një linjë kreditore prej 10 milionë eurosh për të mbështetur NVM-të me Bankën ProCredit në nëntor të vitit të kaluar. Këto dy nënshkrime do ta plotësojnë njëra tjetrën, për aq sa do të përputhet likuiditeti i ofruar nga EIB me ndarjen e rrezikut të ofruar nga EIF. Kam besim se EIF dhe ProCredit mund të punojnë ngushtë për të përmirësuar qasjen në financa për NVM-të kosovare.”
Drejtori Gjeneral i ProCredit Bankës në Kosovë, Ilir I. Aliu, thekson rëndësinë e kësaj marrëveshjeje në Kosovë: “Bashkëpunimi jonë me Fondin Evropian për Investime ka një ndikim të rëndësishëm për zhvillimin e segmentit tonë kyç të ndërmarrjeve shumë të vogla, të vogla dhe të mesme, pasi që pa dyshim rritë kapacitetet dhe aktivitetet e bankës sonë për t’i dhënë kontribut të rëndësishëm mbështetjes së klientëve tanë në planet e tyre investuese ose nevojat për kapital punues. Për më tepër, marrëveshja konfirmon përkushtimin e Fondit Evropian për Investime për të mbështetur ekonomitë vendore/sektorin privat por ajo po ashtu konfirmon faktin se institucioni jonë ka fituar një reputacion të konsiderueshëm si institucion i besueshëm dhe i qëndrueshëm me ekspertizë shumë të fuqishme në mbështetjen e ndërmarrjeve shumë vogla, të vogla dhe të mesme – pasi që jemi të bindur se ky sektor afarist është motori kryesor i rritjes ekonomike vendore dhe kontribuesi kryesor në krijimin e vendeve të punës si dhe mirëqenies.”
Programi bashkërendohet nga Fondi Evropian për Investime dhe jetësohet në bashkëpunim të ngushtë mes qeverive të Ballkanit Perëndimor, Komisionit Evropian, Bankës Evropiane për Investime (EIB) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). IFI, organizatat ndërkombëtare dhe donatorët e ndërsjellë që janë aktivë në rajon, si Banka Botërore, DEG, OECD dhe të tjerët ftohen të marrin pjesë me qëllim të harmonizimit të përpjekjeve për të zhvilluar sektorin privat në Ballkanin Perëndimor.
Kjo është nisma e parë rajonale në fushën e zhvillimit të sektorit privat e kanalizuar përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Për EIF
Misioni qendror i Fondit Evropian për Investime (EIF) është të mbështesë bizneset shumë të vogla, të vogla dhe të mesme të Evropës duke u ndihmuar atyre të kenë qasje në financa. EIF dizajnon dhe zhvillon kapitalin për investime, garancitë dhe instrumentet mikrofinanciare të cilat në mënyrë të veçantë përqendrohen në këtë segment të tregut. Në këtë rol, EIF kultivon objektivat e BE-së në mbështetje të inovacionit, hulumtimit dhe zhvillimit, ndërmarrësisë dhe punësimit. Zotimet e përgjithshme për fondet e aksioneve private kanë kapur shumën neto prej 7.9 miliardë eurosh në fund të vitit 2013. Me investime në mbi 435 fonde, EIF është një lojtar kyç në investimet evropiane për shkak të shkallës dhe shtrirjes së investimeve të tij, sidomos në teknologji të lartë (high-tech) dhe segmente të fazës së hershme. Portofoli i kredive të garantuara të EIF ka kapur shumën e përgjithshme prej 5.6 miliardë eurosh në mbi 300 operacione në fund të vitit 2013, duke e pozicionuar atë si një akter të rëndësishëm evropian për garanci për NVM dhe si garantues kryesor mikrofinanciar.
Për WB EDIF
WB EDIF është një nismë e financuar nga BE që synon të rrisë burimet financiare që vihen në dispozicion të NVM-ve me seli në Ballkanin Perëndimor si dhe të asistencës teknike për investime strategjike, sidomos në infrastrukturë, energji efiçiente dhe zhvillim të sektorit privat për të mbështetur zhvillimin socio-ekonomik dhe anëtarësimin në BE të mbarë Rajonit.
WB EDIF do të përfshijë katër komponentë që synojnë:
- financimin e aksioneve nga faza e hershme deri te ajo zhvillimore e NVM-ve novatore; kjo do të bëhet nga programi i sapokrijuar për inovacion të ndërmarrjeve (ENIF);
- ofrimin e kapitalit për zhvillim dhe zgjerim të NVM-ve të themeluara me mundësi të lartë të rritjes ekonomike; kjo do të bëhet nga programi i sapokrijuar për Zgjerim të Ndërmarrjeve (ENEF);
- përmirësimin e qasjes së NVM-ve në huazime bankare dhe në uljen e shpenzimeve të huazimit, duke ofruar garanci për portofolin e kredive për NVM-të për ndërmjetësuesit financiarë; kjo do të bëhet sipas një Lehtësimi të Garancive rajonale;
- krijimit të një mjedisi të përshtatshëm rregullues për NVM-të inovatore dhe me potencial të madh; kjo do të bëhet përmes një Lehtësimi të Asistencës Teknike që mbështetë qeveritë përfituese në jetësimin e reformave prioritare.
Për më shumë informata rreth partnerëve të EIF sipas WB EDIF luteni të vizitoni http://www.eif.europa.eu/what_we_do/resources/wbedif/.