ProCredit Bank inauguron parkun në lagjen Dardania të Prishtinës

ProCredit Bank si bankë që investon çdo ditë në kujdesin për ambientin ka inauguruar sot parkun në lagjen Dardania të Prishtinës.

Më shumë se 9500 m² sipërfaqe publike është gjelbëruar dhe pajisur me ulëse dhe shporta – duke e shndërruar këtë hapësirë në park të rehatshëm për qëndrim dhe shfrytëzim për banorët të cilët banojnë përreth.
Ky investim i ProCredit Bankës është mundësuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Shpend Ahmeti - Kryetari i Komunës së Prishtinës tha se ‘ky projekt ka filluar si ide vitin e kaluar, që njeri prej parqeve të Dardanisë të rregullohet, të mbillet me drunjë të rinj të vendosen bankat në mënyrë që të shfrytëzohet nga qytetarët. Për më tepër idea është që një korporatë si ProCredit Bank që funksionon jo vetëm në komunën tonë po edhe në shtetin tonë të shfrytëzojë një pjesë të qarkullimit të vet për të investuar në diçka që ka përfitim social për të gjithë qytetarët.

Investimi në këtë park reflekton nevojën e më shumë hapësirave të gjelbra publike në Kosovë, si dhe kontributin e vazhdueshëm në mjedis të një institucioni të përgjegjshëm financiar.

“Me këtë investim ne si bankë  synojmë të kontribuojmë në rritjen e hapësirave të gjelbëruara shumë të domosdoshme në zonat urbane. Ky investim mbyll një projekt për rritjen e hapsirave të gjelbërta në shumë qytete në nivel të vendit, që paraqet një investim total prej afro 60,000 EURO,  rreth 415 drunjë të mbjellur dhe mbi 10,500m2 sipërfaqe e gjelberuar, deklaroi Ilir Aliu drejtor gjeneral në ProCredit Bank. “