Me iniciativë dhe ftesë nga Banka ProCredit, biznese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë takuar të enjten në Prishtinë në një forum të përbashkët rajonal. Rreth njëqind biznese nga industria e ushqimit, të sektorëve të prodhimit dhe shpërndarjes, ishin pjesëmarrës në këtë forum rajonal me qëllim të vendosjes së relacioneve nga prodhues ushqimi, në njërën anë, dhe nga biznese që merren me shpërndarje apo shitje, në anën tjetër.
Si bankë e specializuar në mbështetjen e bizneseve, Banka ProCredit ndërmori këtë iniciativë bazuar në rëndësinë e vendosjes së kontakteve dhe partneriteteve të reja si pjesë esenciale e zhvillimit të bizneseve.
“Pikërisht ky takim rajonal është në frymën e mbështetjes së bizneseve nga Banka ProCredit. Ne kemi krijuar infrastrukturë efikase të bankimit rajonal, çka e lehtëson bashkëpunimin e bizneseve në nivel rajoni”, ka deklaruar Ilir I. Aliu, Drejtor Gjeneral në Bankën ProCredit në Kosovë.
“Grupi ProCredit është brendi më i fuqishëm i bankimit i specializuar në shërbimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në rajon”, ka theksuar Besnik Berisha, Zëvendës Drejtor Gjeneral në Bankën ProCredit në Shqipëri.
Bankat ProCredit në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri janë pjesë e rrjetit prej 11 bankave simotra që operojnë me sukses në Evropën Juglindore.
Biznese të pranishme këtë forum e kanë konsideruar mundësie për të shtuar bashkëpunimin rajonal.
Nderim Halimi, nga qumështorja Sharri nga Prizreni vlerësoi lartë organizimin e kësaj ngjarje duke e konsideruar “një mundësi të mirë të shkëmbimit tregtarë mes bizneseve të vendeve të rajonit”.
Aqif Qaqa, president nga kompania “Mireli” nga Shqipëria ka deklaruar se “kishte kohë që mendonim për ardhjen në Kosovë, por Banka ProCredit krijoj mundësinë për ardhjen tonë. Sot ne i kemi të gjitha mundësitë dhe potencialin për të punuar me Kosovën dhe Maqedoninë”.
Ndërkaq Abedin Murati, pronarë i tri kompanive në Tetovë ka theksuar se “ky është takimi i parë për mua mes këtyre tri shteteve. Që në momentin e parë shikoj se ka interesim për një bashkëpunim mes partnerëve biznesi nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia”.
Banka ProCredit ka theksuar se do të vazhdoj të jetë pranë bizneseve duke zbatuar praktikat më të mira gjermane të bankimit.
Vitin e kaluar grupi ProCredit filloi me organizim të forumeve të tilla dhe takimi i sotëm është i katërti në rajon organizuar nga Bankat ProCredit.