Edhe këtë vit për të 11-tinë me radhë, banka ProCredit ka konfirmuar mbështetjen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar – Dokufest, si sponsor gjeneral i kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore në vend.
Pas 14 vjetësh të mbajtjes së këtij festivali, sot DokuFest është ngjarja më e madhe kulturore në vend dhe një ndër 25 festivalet më të mira të filmit dokumentar në botë.
Edicioni i sivjetmë i Dokufest fillon më 08 gusht dhe do të zgjas deri më 16 gusht në qytetin historik dhe piktoresk të Prizrenit, gjatë së cilit do të shfaqen 228 filma nga 43 vende te botes në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale. Kjo ngjarje kulturore tërheq vëmendjen e një numri të madh artistësh, film bërësve, producentëve dhe artdashësve nga rajoni dhe bota.
“ Banka ProCredit Bank si një institucion që vazhdimisht mbështet ngjarjet e mirëfillta në Kosovë e posaçërisht ato që kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në zhvillimin e kulturës, ka besuar në DokuFest që nga vitet e para, duke qenë një ndër mbështetësit kryesor për 11 vjet radhazi” tha Albena Çarkaxhiu menaxhere e departamentit të Marketingut dhe PR në ProCredit Bank.
Edhe në këtë edicion do të shfaqen videot e qytetarëve të cilët kanë filmuar çështjet mjedisore në kuadër të garës së përbashkët të ProCredit Bankës dhe DokuFestit për Videon më të Mirë Mjedisore.