• Eriola Bibolli do ta marrë detyrën, siç planifikohet, më 1 mars.
• Kryetari aktual, Hubert Spechtenhauser, po pensionohet.
Frankfurt am Main, 26 shkurt 2026 – Eriola Bibolli (51), anëtare e Bordit Menaxhues të ProCredit Holding AG, do ta marrë detyrën e Kryetares së Bordit Menaxhues nga Hubert Spechtenhauser (63), siç planifikohet, më 1 mars 2026. Z. Spechtenhauser do të pensionohet në fund të shkurtit 2026. Ai ka qenë Kryetar i Bordit Menaxhues të ProCredit Holding që nga 1 nëntori 2022.
“Gjatë pesë viteve të fundit, Hubert Spechtenhauser ka pasur rol kyç në formësimin e zhvillimit strategjik dhe operacional të grupit ProCredit, duke përfshirë ndryshimin e formës juridike në vitin 2023 dhe përafrimin strategjik të grupit të prezantuar në Ditën e Tregjeve të Kapitalit 2024. Me ekspertizën e fituar përgjatë më shumë se 30 viteve të përvojës në udhëheqjen e institucioneve financiare, me vizion të qartë dhe përkushtim të palëkundur, ai e ka forcuar grupin tonë bankar dhe e ka pozicionuar për të ardhmen”, tha Kryetari i Bordit Mbikëqyrës, Rainer Ottenstein. “Në emër të të gjithë Bordit Mbikëqyrës, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për ekspertizën e tij të gjerë, udhëheqjen shembullore dhe përkushtimin e palëkundur.”
“Për ProCredit, fakti që këtë pozitë mjaft kërkuese po e plotësojmë nga radhët tona është një sinjal i fortë i kulturës korporative dhe i forcës së saj të brendshme”, shpjegoi z. Ottenstein. “Me emërimin e znj. Bibolli kemi gjetur kandidaten ideale. Ajo mishëron stabilitetin por njëkohësisht qasjen e duhur drejt digjitalizimit, zgjerimit dhe rritjes dinamike në përgjithësi.”
Ai vazhdoi: “Ajo është pjesë e ProCredit që nga viti 2001 dhe sjell një perspektivë operacionale të fituar përmes punës në nivel banke dhe në menaxhment të grupit. Kur u emërua anëtare e Bordit Menaxhues të ProCredit Holding AG në vitin 2023 dhe fillimisht mori përgjegjësinë si Zyrtare Kryesore e Rrezikut, ajo e riformësoi strategjinë e rrezikut dhe i forcoi strukturat e menaxhimit të rrezikut. Më vonë gjatë vitit, kur mori përgjegjësinë për një portfolio më të gjerë strategjik – ndër të tjera bankimin për klientë privatë dhe NMVM-të, IT-në e Grupit dhe IT-në e PCH - ajo zhvilloi, ndër të tjera, një strategji transformuese për bankimin digjital për klientë privatë. Ajo vendosi strukturat për zhvillimin e biznesit në ProCredit Holding dhe ridizajnoi modelin e qeverisjes dhe të operimit drejt operacioneve digjitale”.
E lindur në Shqipëri, znj. Bibolli ka studiuar për administrim biznesi dhe karrierën profesionale e ka filluar në grupin ProCredit në vitin 2001 në bankën ProCredit në Kosovë. Nga viti 2007 deri në vitin 2019, ajo ka qenë Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme dhe anëtare e Bordit Menaxhues, ndërsa në vitin 2019 u emërua Drejtoreshë e Përgjithshme. Ajo ka kontribuar shumë në zhvillimin e bankës. Në vitin 2023, znj. Bibolli u bë anëtare e Bordit Menaxhues të ProCredit Holding AG. Ajo ka qenë aktive prej vitesh në tregjet e synuara të ProCredit në Evropën Juglindore dhe Lindore, duke ndërtuar ekspertizë të gjerë në operacione si për klientë të biznesit ashtu edhe për klientë privatë.
“Grupi ProCredit ka qenë shtëpia ime profesionale për më shumë se dy dekada dhe mezi pres përgjegjësitë e mia të reja”, tha znj. Bibolli në fillim të mandatit të saj. “Ajo që e bën ProCredit të veçantë për mua janë njerëzit dhe bindja se ne, në ProCredit, mund ta bëjmë dallimin, si për ndërmarrësit ashtu edhe për klientët privatë. Në një botë të karakterizuar nga ndryshimet e shpejta dhe përshpejtimi digjital, suksesi ynë do të varet nga ajo se sa të guximshëm dhe sa të shkathët mund të jemi në evoluim - duke shfrytëzuar teknologjinë për t’i përmbushur pritjet gjithnjë e më të larta të klientëve tanë, dhe njëkohësisht pa u larguar nga vlerat që na udhëheqin. Duke e përqafuar këtë zhvillim me qartësi, qëllim dhe shpejtësi, ne do të mundësojmë transformim pozitiv dhe do ta pozicionojmë grupin ProCredit që deri në vitin 2029 të udhëheqë me ndikim si grup bankar i digjitalizuar dhe me fokus në qëndrueshmëri në Evropën Juglindore dhe Lindore. Me këtë kuptim, mezi pres rolin tim të ri.”
Hubert Spechtenhauser do të mbetet pjesë e grupit ProCredit si anëtar i bordit mbikëqyrës në bankat ProCredit.
Kontakti: Petra Vielhaber, Njësia për Komunikim në Grup, ProCredit Holding, tel.: +49 69 95 14 37 249, mobil: +49 171 686 5932, e-mail: petra.vielhaber@procredit-group.com
Rreth ProCredit Holding AG
ProCredit Holding AG, me seli në Frankfurt am Main, Gjermani, është kompania mëmë e grupit me orientim zhvillimor ProCredit, që përbëhet nga banka komerciale për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) si dhe për individë privatë, duke nxitur zhvillimin ekonomik, ekologjik dhe social. Përveç fokusit operacional në Evropën Juglindore dhe Lindore, grupi ProCredit është aktiv edhe në Amerikën Jugore dhe në Gjermani. Aksionet e kompanisë tregtohen në segmentin “Prime Standard” të Bursës së Frankfurtit. Aksionarët kryesorë të ProCredit Holding AG janë Zeitinger Invest GmbH, KfW, Dutch DOEN Participaties BV, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe ProCredit Staff Invest GmbH & Co. KG. Si kompani mbizotëruese e grupit, sipas Ligjit Gjerman për Banka, dhe si kompania mëmë e grupit financiar ProCredit, ProCredit Holding AG mbikëqyret në nivel të përbashkët nga Autoriteti Federal Gjerman i Mbikëqyrjes Bankare (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe nga Bundesbanka Gjermane. Për informata shtesë, vizitoni: https://www.procredit-holding.com/
Deklaratat parashikuese
Kjo komunikatë për shtyp përmban deklarata që lidhen me zhvillimin e biznesit në të ardhmen dhe/ose performancën financiare në të ardhmen dhe/ose veprimet dhe/ose zhvillimet e ardhshme që ndikojnë në ProCredit Holding (deklarata parashikuese). Deklaratat e tilla parashikuese bazohen në pritshmëritë aktuale të Menaxhmentit të ProCredit Holding dhe në supozime specifike, të cilat pjesërisht janë përtej kontrollit të ProCredit Holding. Rrjedhimisht, këto deklarata parashikuese i nënshtrohen një sërë pasigurish. Nëse një ose më shumë prej këtyre pasigurive materializohen, ose nëse supozimet ose pritshmëritë rezultojnë të pazbatueshme, atëherë kushtet aktuale (qoftë negative apo pozitive) mund të dallojnë në mënyrë domethënëse nga ato të shprehura ose të nënkuptuara në deklaratat parashikuese. Përveç detyrimeve ligjore të domosdoshme, ProCredit Holding nuk merr përsipër asnjë detyrim për t’i përditësuar këto deklarata parashikuese apo për t’i korrigjuar ato.