Prishtinë, 19 Korrik 2011 - Ekipi përfaqësues i Kosovës e vazhdon garimin në ditën e dytë të garave të matematikës, në kuadër të Olimpiadës Matematike Ndërkombëtare (IMO) në Amsterdam.Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë si anëtare e plotë e kësaj ngjarje të rëndësishme për matematikën e shkollës së mesme.
Olimpiada Matematike Ndërkombëtare është garë e përvitshme e matematikës për nxënësit parauniversitarë. Ajo është më e vjetra ndër olimpiadat shkencore, dhe për herë të parë është mbajtur në Rumani në vitin 1959. Sivjet Olimpiada mbahet në Amsterdam dhe në të marrin pjesë mbi 100 vende.
Ekipi i Kosovës është përzgjedhur përmes Olimpiadës Matematike të Kosovës, të mbajtur në mars 2011 nën organizimin e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, mbështetur nga ProCredit Bank. Anëtarët e ekipit tonë janë Endrit Fejzullahu (Gjilan), Islam Foniqi (Malishevë), Zojë Selimi (Klinë), Shqipron Shala (Pejë), Hamdi Dërvodeli (Gjilan), dhe Arbër Selimi (Klinë/Pejë). Ekipin e nxënësve e shoqërojnë prof. Ramadan Limani (Udhëheqës i Ekipit) dhe prof. Kajtaz Bllaca (Zv. Udhëheqës).
Vlen të theksohet që ProCredit Bank ka mundësuar udhëtimin e Ekipit të Kosovës në Amsterdam.
Rezultatet e testeve të IMO pritet të shpallen të shtunën, më 23 korrik, kurse Ekipi i Kosovës kthehet më 24 korrik në vend.