Filloi edicioni i tetë i lojërave për fëmijë “ProKid 2012”

Prishtinë, 29 Qershor 2012 - Për të tetin vit me radhë ProCredit Bank organizon lojërat  tradicionale pa kufij për fëmijë.

Qëllimi i këtij evenimenti është që fëmijët përmes shumë lojërave të kenë mundësinë që të sprovojnë forcën dhe shkathtësitë e tyre dhe njëkohësisht të shoqërohen me moshatarët e tyre nga komunat tjera.

Pjesëmarrës të këtyre lojërave, janë fëmijët e shkollave fillore nga të gjitha rajonet e Kosovës. Në secilin edicion të lojërave ProKid, do të garojnë nga 320 fëmijë të moshës 7 deri në 11 vjeç, gjithsej 1, 600 fëmijë për katër lojërat garuese, të cilat do të kurorëzohen me finalen e madhe.
Sikurse edhe vitet e kaluara, lojërat Prokid 2012 mbështeten nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Lojërat ProKid 2012 do të mbahen në pishinën “Europark” në Zllakuqan - Klinë dhe gjithashtu do të transmetohen në Koha Vision çdo të diel nga ora 8:00 dhe ritransmetohet në ora 16:30.