Prishtinë 15 Korrik, 2012 - Juria e festivalit të filmit dokumentar DokuFest i ka ndarë çmimin Videoja më e Mirë Mjedisore të riut Brilant Pireva.
Videoja e Brilantit është shfaqur në edicionin e sivjetmë të DokuFestit duke garuar me një sërë videosh të tjera amatore të filmuara nga vet qytetarët.
Shpërblimi për Videon më të Mirë Mjedisore në vlerë prej 1000 eurosh është shpallur në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve të festivalit më 15 korrik.
Përmes kësaj kategorie të re të festivalit, qytetarëve iu është dhënë mundësia të adresojnë ndotjen ose mbrojtjen e mjedisit nga perspektiva e tyre. Kjo iniciativë mjedisore është ndërmarrë nga ProCredit Bank në bashkëpunim me DokuFest-in.
Videot e dorëzuara variojnë nga degradimi mjedisor deri tek iniciativat ekologjikisht miqësore të komuniteteve dhe shkollave me orientim të gjelbër. Disa nga imazhet e filmuara tregojnë gjendje të rëndë të ndotjes mjedisore.
Kjo iniciativë vetëdijesimi, e cila do të vazhdoj edhe në edicionet e ardhshme të festivalit, ka për qëllim adresimin vizual të çështjeve mjedisore në Kosovë dhe ndarjen e tyre me publikun e gjerë gjatë festivalit të filmit dokumentar DokuFest.