Podujevë, 05 tetor 2012 – Vendosur skaj lumit Llap në qendër të qytetit të Podujevës, 3432 m² sipërfaqe publike është gjelbëruar dhe pajisur me ulëse dhe shporta – duke e shëndërruar këtë hapësirë në park të rehatshëm për banorët e Podujevës.
Ky investim i ProCredit Bankës është mundësuar në bashkëpunim me Komunën e Podujevës dhe iniciativën qytetare ”Ta Pastrojmë Kosovën”.
Parku i ri në Podujevë në njërën anë reflekton nevojën e më shumë hapësirave të gjelbra publike në Kosovë, si dhe në anën tjetër kontributin në mjedis të një institucioni të përgjegjshëm financiar.
”Përtej kontributit tonë për një ambient më të pastër e më të gjelbër në Kosovë, e rëndësishme është vetëdijesimi i qytetarëve në raport me mirëmbajtjen e parqeve duke mos i ndotur e dëmtuar ato”, ka pohuar Zëvendës Drejtoresha Gjenerale në ProCredit Bank, Eriola Bibolli.
Investime të këtij lloji do të realizohen edhe në qytete të tjera në Kosovë, më saktësisht në hapësira publike të identifikuara dhe propozuara ProCredit Bankës nga iniciativat lokale mjedisore në koordinim me zyrtarët komunal. Përderisa banorët e Podujevës kanë edhe një park për të kaluar kohën e lirë, është qenësore që fidanet e mbjellura në parkun më të ri në Podujevë të jenë në dispozicion edhe për gjeneratat që do të vijnë.
Kjo iniciativë në Podujevë është realizuar në kuadër të fushatës vetëdijësuese mjedisore të ProCredit Bankës ”Është vendi ynë. Ta mbajmë pastër”.
ProCredit Bank beson se kualiteti i jetës pashmangshëm ka të bëjë me kualitetin e ambientit ku jetojmë dhe punojmë. Kështu, fushata thekson rëndësinë e të jetuarit në një ambient të pastër dhe ndikimin e tij në shëndet, gjithnjë duke u bazuar në pikëpamjen se ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e secilit prej nesh.
Pjesë përbërëse e kësaj fushate është investimi për hapësira të gjelbra në secilin rajon të Kosovës, ku ProCredit Bank do të mbjell disa qindra fidane, pastaj do të vendos ulëse, shporta... për t’i bërë vende të rehatshme për qëndrim dhe shfrytëzim nga qytetarët të cilët banojnë përreth tyre.
Në këtë kontekst, porosia e ProCredit Bankës është që ta mbajmë pastër ambientin që na rrethon duke vepruar me përgjegjësi dhe duke mos e ndotur atë.