ProCredit Banka përuron degën e re në Shtimje

Prishtinë, 10 tetor 2006– Me moton: “ProCredit Banka  edhe më afër jush”, banka e parë në Kosovë, ProCredit... sot edhe zyrtarisht, përuroi nëndegën e saj të re në Shtimje.
Nëndega e Shtimjes do t’u ofrojë shërbime bankare më shumë se 35.000 mijë banorëve dhe shumë bizneseve që kanë vendosur aktivitetet e tyre në atë zonë, duke filluar që nga hapja e llogarisë bankare deri te marrja e kredive të ndryshme, duke u përqendruar në kredi për përmirësimin e kushteve të banimit, kredi biznesesh të vogla, kredi për bujqësinë e të tjera!
“Hapja e nëndegës në Shtimje është pjesë e aplikimit të politikës sonë që të jemi aty ku e do nevoja për shërbimet tona bankare. Thjesht që të jemi sa më afër klientëve, në mënyrë që t’ia lehtësojmë përditëshmërinë bankare çdo qytetari  të Kosovës”, ka thënë Ilir Aliu zv.drejtor i ProCredit Bankës.

Ai, për rëndësinë e hapjes së kësaj nëndege, ka potencuar si prioritet edhe zhvillimin ekonomik të kësaj qyteze.
“Komuna e Shtimjes, ka potencial të zhvillimit të ekonomisë lokale, ndaj ne edhe këtu kemi hapur dyert, për ta mbështetur dhe përkrahur financiarisht bizneset e vogla dhe të mesme, veçanërisht në fushën e bujqësisë”, është shprehur Aliu.
Me hapjen e nëndegës së sotme të Shtimes, ProCredit... zgjeron rrjetin e saj me 22 nëndegë të saj së bashku me 7 degët kryesore në mbarë Kosovën, kurse deri në fund të këtij viti planifikohet edhe hapja e disa degëve të tjera, ka thënë Aliu.
 
ProCredit Banka vazhdon të jetë lider në tregun financiar në Kosovën si nga depozitat, ashtu edhe në portfolion kreditore.

Më saktë ProCredit, ka më se 150 mijë klientë me një shumë totale të depozitave të qytetarëve dhe organizatave në më se 369 milionë euro, apo 42% të depozitave totale të sistemit bankar në Kosovë. 

Ndryshe deri sot ProCredit Banka, ka instaluar më tepër se 1 100 POS terminale (pika shitjeje), ndërsa ka arritur 52 numri i bankomatëve të vendosur në mbarë Kosovën, në mënyrë që klientëve të bankës t’u ofrohet qasja në të holla të tyre gjatë 24 orëve shtatë ditë të javës.