ProCredit Banka shpërblehet si taksapaguesi më i rregullt për vitin 2006

Prishtinë,  28 Qershor 2007- ProCredit Bank, banka më e suksesshme në Kosovë, prinë në listën e tatimpaguesit më të rregullt në Kosovë për vitin 2006.

Kjo u bë e ditur gjatë një ceremonie të organizuar nga Oda Amerikane e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës.

Eriola Biboli, udhëheqëse e  Departamentit të Financave dhe të Kontrollit në ProCredit Bank, gjatë ceremonisë së marrjes së këtij çmimi, ka deklaruar se shpërblimi i marrë, vërteton kontributin e vazhdueshëm të ProCredit Bankës në zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës dhe gjithashtu konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të bankës në stabilitetin makroekonomik të vendit.

“ Duke qenë banka më e madhe në Kosovë, është konsekuente të jesh në mesin e taksapaguesve më të mëdhenj në Kosovë, sepse jemi të  vetëdijshëm se politikat fiskale dhe të ardhurat nga taksat luajnë rolin kyç në mbarëvajtjen e politikave ekonomike të Kosovës” pohoi Biboli.

“Të gjitha kompanitë e shpërblyera janë të vlefshme për shoqërinë kosovare, jo vetëm për tatimin që e paguajnë, por edhe për vendet e punës që krijojnë, dhe për ambientin e biznesit që zhvillojnë” ka thënë Mimoza Kusari Lila,  drejtoresh e Odës Ekonomike Amerikane.

Kjo është hera e dytë që Oda Amerikane dhe Administrata Tatimore e Kosovës u ndanë mirënjohje kompanive që paguajnë rregullisht tatimin, dhe gjithashtu vlen të përmendët që herën e parë janë shpërblyer trembëdhjetë kompani, ndërsa këtë vit lista e tatim paguesve më të rregullt është zgjeruar në pesëmbëdhjetë kompani.

Që të pesëmbëdhjetat kompanitë e shpërblyera i kanë kontribuar buxhetit të Kosovës me afro 15 milion Euro.