Prishtinë, 24 Shtator 2007 – Nëse nga e hëna vizitoni njërin nga 70 bankomatët e ProCredit Bankës të shpërndara në tëre territorin e Kosovës dhe në ekran ju paraqitet VALA E TOP-UP, që paraqet një shërbim inovativ për tregun kosovar.
Ky shërbim është mundësuar të realizohet pas nënshkrimit të një marrëveshje mes drejtorit menaxhues të PTK, dr.Etrur Rrustemaj dhe zëvendës drejtorit gjeneral të ProCredit Bankës Ilir Aliut.
“Përmes këtij shërbimi inovativ, konsumatorët tanë do të kenë mundësi që të kreditojnë celularët e tyre në çdo kohë pra, non- stop, 24 orë në ditë. Ky është edhe një hap shtesë drejt shërbimit të shpejt dhe efikas për konsumatorët tanë”, deklaron Drejtori menaxhues i PTK, Sh.A, Dr.Etrur Rrustemaj.
Ky shërbim pritet të jetë shumë i pëlqyer në përgjithësi nga qytetarët kosovar pasi ka edhe përparësitë e veta. Përparësia numër një e këtij shërbimi është se konsumatorët e VALA të cilat janë klient të ProCredit Bankës mund ta rimbushin llogarin e tyre brenda 24 orëve dhe 7 ditë në javë.
“E Top Up karakterizohet si shërbim që u mundëson klientëve të bankës ProCredit që përmes bankomateve ti kreditojnë celularët e tyre, duke përdorur vetëm kartelat e tyre bankare. Pra si shërbim është tejet funksional dhe paraqet një inovacion në tregun Kosovar duke ofruar këtë mundësi 24/7,në dobi të klientëve”-tha Ilir Aliu zëvendës drejtor gjeneral i ProCredit Bankës.
Pra duke filluar nga e hëna konsumatorët e VALA si dhe klientët e Pro Credit Bankës nuk do të jenë të obliguar që për rimbushjen e xhirollogarisë së numrit të tyre, gjithsesi t’i vizitojnë pikat shitëse të PTK. Krejt çka duhet bërë është që kartela juaj e bankës të futet në ATM (bankomat) dhe në ekran përveç shërbimeve të ProCredit Bankës do të shihni edhe mbishkrimin VALA E Top Up.
Pas zgjedhjes së këtij shërbimi ju mund të dërgoni qoftë në numrin tuaj qoftë të dikujt tjetër mbushje me vlerë 5, 10, 20 dhe 50 euro. Për fillimin e implementimit të këtij shërbimi PTK Sh.A ka marrë leje nga Agjencioni për Prokurim Publik ndërsa Pro Credit Banka nga Autoriteti Qendror Bankar.
Sipas zyrtarëve të PTK, VALA do të vazhdojë të përmbushë kërkesat e konsumatorëve të saj, duke lansuar në vazhdimësi shërbime inovative dhe duke prezantuar zbritje ekuivalente të çmimit. Telefonia mobile në këtë mënyrë do të bëhet e arritshme dhe e leverdishme për të gjithë.