Prishtinë, 18 Janar 2008 - Që nga muaji Shkurt i këtij viti të gjithë kontribuuesit e Trustit të Kursimeve Pensionale do të kenë mundësin e tërheqjes së kursimeve të tyre në faza. Tërheqja e kursimeve të kontribuuesve të Kosovës do të bëhet përmes ProCredit Bankës.
Ky shërbim është mundësuar pas marrëveshjes se nënshkruare mes këtyre dy institucioneve, të cilat u përfaqësuan nga Adrian Zalli, Drejtor Menaxhues i trustit dhe Florin Lila, Zëvendës Drejtor Gjeneral i ProCredit Bankës.
“Tërheqja në faza nënkupton se paratë e kursyera, së bashku me kthimin e fituar nga investimet, do të transferohen në bankën komerciale e cila kursimet do t’i paguajë tutje tek kontribuuesi në këste mujore, deri sa nuk paguhen të gjitha kursimet. Kështu kontribuuesit të cilët e aplikojnë për pensionim pas janarit të këtij viti, dhe të cilët kanë 2,000 ose më shumë euro në llogaritë e tyre në Trust, do të kenë të ardhura mujore krahas pensionit themelor “ deklaroi Adrian Zalli drejtor gjeneral i Trustit Pensional të Kosovës.
Duke përshëndetur këtë iniciativë Florin Lila, zëvendës drejtor gjeneral i ProCredit Bankës sqaroi se gjatë kohës së qëndrimit të parave të tyre në bankën ProCredit, ato do të rriten përmes kamatës të cilën e jep banka, kamatë kjo që do të jetë më e lartë se sa ato që jepen në llogari të zakonshme kursimesh.
“Marrëveshja e tillë u jep mundësi të mirë të gjithë pensionistëve që edhe ne kohën sa janë mjetet ne ProCredit Bank, të përfitojnë, pra do të kenë kartela që do të mund ti shfrytëzojnë për tërheqje nacionale dhe pagesa në të gjitha pikat e shitjes në mbarë Kosovën. Këto kartela do tu jepen falas të gjithë pensionistëve!” shtoi Lila.
Trusti obligohet me ligj që t’ua mundësojë kontribuuesve në të t’i marrin paratë e kursyera në këste mujore, pra në formë pensioni. Tërheqja në faza është metoda më e mirë në rrethanat aktuale në Kosovë për ta mundësuar një gjë të tillë. Kjo për shkak të kohës së shkurtë të kursyerit dhe kontributeve të ulëta, faktorë këta që nuk u kanë lejuar pjesës më të madhe të atyre që pensionohen rishtazi të kursejnë një shumë të mirëfilltë për pension të përjetshëm. Kështu, tërheqja në faza të paktën ua mundëson kursimtarëve të Trustit që përveç pensionit themelor ta kenë një të ardhur shtesë mujore. Natyrisht, shuma e kësaj të ardhure mujore do të varet kryekëput nga shuma e kontribuar në Trust dhe nga shuma e përfituar përmes investimit të mjeteve.
Kontribuuesit, kursimet e të cilëve janë në vlerë prej €2,000-€10,000 do të marrin pagesën mujore prej €100. Ata që kanë kursyer më shumë se €10,000 do të marrin nga 1% të vlerës së përgjithshme të llogarisë si pagesë mujore. Kontribuuesit me nën €2,000 të kursyera do t’i marrin të gjitha kursimet e tyre në një pagesë të vetme.