ProCredit Banka inauguron zyrën e re qendrore në ditëlindjen e saj të 8-të

Prishtinë, 22 Shkurt 2008 – “Hapja e zyrës së re qendrore të ProCredit Bankës është një moment shumë i rëndësishëm për bankën tonë.

Zyra qendrore do të jenë një pikë referimi në Prishtinë. Kjo ndërtesë simbolizon edhe të arriturat e bankës tonë në Kosovë. Gjithashtu demonstron qartë që me një vizion dhe vendosshmëri është e mundur që të ndërtohet një biznes i suksesshëm në Kosovë dhe në të njëjtën kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit. Jemi shumë të lumtur që inaugurimi i ndërtesës së re të bankës tonë  përkon me arritjen e Kosovës për të qenë e pavarur” ka thënë Philip Sigwart, drejtor gjeneral i ProCredit Bankës.

ProCredit Bank ka përuruar zyrën e saj qendrore në Prishtinë në tetë vjetorin e operimit të saj në Kosovë.
Zyra e re qendrore e ProCredit Bankës gjendet në bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë dhe do të jetë shtëpia e 15 departamenteve përfshirë drejtorin e përgjithshme të bankës.
Ndërkohë që kati i parë i objektit do të shënojë degën e 50-të të ProCredit Bankës në mbarë Kosovën që  do ti shërbejë të gjithë klientëve për ti kryer të gjitha shërbimet e nevojshme bankare.
Sikurse të gjitha degët e bankës, edhe kjo degë, do të jetë në përputhje me filozofinë e bankës - duke krijuar një ambient mikpritës , miqësore, si dhe ofrim të shërbimeve sa më cilësore klientëve tanë.

Ndryshe në 8-të vjetorin e ditëlindjes të ProCredit Bankës në Kosovë, drejtuesit ekzekutiv, vlerësuan  suksesshëm mbylljen e vitit 2007 me total të aktives (aseteve) prej 552 milion eurosh.
 
“ProCredit Bank sot numëron mbi 260 mijë klientë me një shumë totale të depozitave të qytetarëve dhe organizatave në mbi 470 milion euro. Derisa portfolio e kredive aktive arriti vlerën në 343 milion euro! Ndërkohë që asetët e bankës tonë arritën vlerën prej 552 milion Euro. Që nga viti 2000 kur edhe nisi punën banka jonë në Kosovë, disbursuam më shumë se 100,000 kredi biznesi në vlerë prej 700 milion euro. Këto rezultate tregojnë qartë kontributin e bankës tonë në zhvillim ekonomik të Kosovës” ka pohuar Florin Lila, zv/drejtor gjeneral në ProCredit Bank.

“Arritjet tona në tetë vjetët e operimit të bankës tonë janë rezultat i përpjekjeve tona të vazhdueshme në ofrimin e shërbimeve sa më të përshtatshme bankare qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, duke promovuar një qasje të përgjegjshme bankare. Në do të vazhdojnë zgjerimin e prezencës tonë në Kosovë, duke hapur degë të reja që sot numëron 50 degë, të hapura, jo vetëm në zona urbane, mirëpo edhe ato rurale si në Mamushë, Shtërpc, në mënyrë që ti ofrojmë edhe kësaj pjese të shoqërisë shërbime të nevojshme bankare. Rrjeti ynë i degëve është i mbështetur me rreth 80 bankomate dhe 2,000 pika të shitjes me tendencën e ofrim të shërbimeve 24 orë në 7 ditë të javës” ka deklaruar Ilir Aliu, zv/drejtor gjeneral në ProCredit Bank.

Kështu duhet përmendur se për të shtatin vit me radhë, edhe këtë vit, ProCredit Bank,  morri edhe çmimin e bankës më të mirë në Kosovë nga Finance Central Europe, një revistë prestigjioze britanike që si kriter të shpërblimeve marrin cilësinë e shëndoshë e portfolios së kredisë, dhe në veçanti vlerësimi i mjeteve, fuqinë e kapacitetit, kthimin i mjeteve dhe kthimin e kapitalit të bankës.

Ndryshe ProCredit Bank në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës për herë të parë në vend, bëri inaugurimin edhe të ekspozitës së monedhave antike të Kosovës. Medaljoni i Perandorit Prob dhe afro 250 medaljone të tjera arkeologjike datojnë nga shekulli i V e deri në shekullin e XII, të periudhave të sundimit romak e bizantin. Shefi i sektorit të arkeologjisë në Muzeun e Kosovës Fatmir Peja, thekson se kjo është hera e parë që monedhat arkeologjike do të jenë të hapura për publikun.  Ai njoftoi se gjetja e tyre është lokalizuar në qytetin e vjetër të Ulpianës, Municipju Dardanorum në Slluqk të komunës së Leposaviqit, Vendenis në Gllamnik të Podujevës etj. Njëra ndër monedhat më të bukura që do të ekspozohet do të jetë Medaljoni i Perandorit Prob, perandor ky i kohës romake por me prejardhje ilire.