Mbushje sipas dëshirës përmes bankomateve te ProCredit Bankës

Prishtinë, 2 Maj 2008 - Operatori mobil IPKO nga dita e premte – 2 maj 2008- starton me produktin e ri IPKOMat, I cili u mundëson konsumatorëve tonë që të mbushin llogarinë në telefonat mobil ditë e natë përmes bankomatëve të ProCredit bankës.

IPKOMat, në krahasim me ofertat e tjera në treg është një shërbim shumë fleksibil i cili mundëson që shuma e mbushjes të përzgjidhet nga vet konsumatori. Duke përdorur kartelat bankare konsumatorët tanë do të mund të mbushin llogaritë e tyre në vlerat që ata dëshirojnë duke u nisur nga 5 euro deri ne 100 euro. Konsumatorët e IPKO, gjithashtu mund të mbushin sipas dëshirës së tyre edhe llogaritë e të afërmve dhe miqve të tyre.

“Përmes shërbimit IPKOMat ne po e shtyjmë edhe një hap më përpara vizionin tonë që t’i afrohemi konsumatori aq afër sa ai të mos shpenzoj kohë dhe mund për të pasur qasje në shërbimet tona. E gjithashtu po i heqim hap pas hapi cilatdo kufizime që janë vendosur në treg”, tha drejtori ekzekutiv I IPKO, z.Akan Ismaili.

Shërbimi IPKOMat, është I sigurt, I shpejtë dhe shumë I lehtë për tu përdorur. Në secilin bankomat të ProCredit Bankës janë vendosur edhe udhëzimet për përdorim të shërbimit, që procesin e mbushjes së llogarive e bëjnë skajshmërisht të lehtë.

Produkti IPKOMat, është fryt i bashkëpunimit ndërmjet IPKO dhe bankës ProCredit.
“Shërbimi IPKOMat u mundëson klientëve të bankës ProCredit që përmes bankomatëve ti kreditojnë telefonat e tyre mobil, duke përdorur vetëm kartelat e tyre bankare. Pra si shërbim është tejet funksional dhe klientëve tanë u jep qasje dhe mundësi për ti kryer shërbimet e tyre 24 orë në 7 ditë të javës në 84
bankomate të vendosura në mbarë Kosovën”, tha Florin Lila zëvendës drejtor gjeneral i ProCredit Bankës.

ProCredit Bank është banka e parë në Kosovë që ofron një mundësi të tillë. Që të gjitha degët e ProCredit Bankës gjithsej 50 në tërë territorin e Kosovës janë të pajisura me teknologji dhe standarde të larta evropiane, përfshirë edhe bankomatet, dhe që të gjitha degët janë të hapura gjashtë ditë të javës.