Prishtinë 06 Qershor 2008 – Mbështetur nga Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës, ProCredit Bank ka lansuar broshurën edukative “Si t`i drejtoheni një banke?” , broshurë kjo që tenton të shpjegojë edhe më tej operacionet bankare, dhe ka për qëllim t’ju ndihmoj publikut në komunikim me nëpunësit bankar si dhe të zgjojë kureshtjen për aspekte të rëndësishme të marrjes së kredive dhe rëndësisë së kursimeve.
“Tregu bankar i Kosovës viteve të fundit ka nisur të bëhet shumë dinamik . Që nga viti 2000, ai ka nisur të funksionoj me një sistem të mirëfilltë bankar dhe që atëherë bankat u ofrojnë produktet e tyre klientëve. Sot bankat ofrojnë një numër të madh shërbimesh dhe u japin mundësi klientëve të mendojnë për mënyra të reja të përmirësimit të jetës së tyre , veçanërisht nëpërmjet kredive. Megjithatë duket sikur mungon një element i rëndësishëm – vetëdijesimi i klientëve në mënyrë që të kuptojnë me mirë ofertat e bankës dhe të jenë në gjendje të zgjedhin produktet dhe shërbimet që u përshtaten më së shumti.”- tha Z. Philip Sigwart , drejtor gjeneral në ProCredit Bank.
“Është fakt që evolucioni po zhvillohet aq shpejt saqë shpesh klientët duket se janë të hutuar nga shumëllojshmëria e produkteve financiare që ofrohen. Andaj çdo nismë e cila ka për qëllim të shpjegoj klientëve mënyrën se si punon banka dhe cilat produkte financiare ofrohen, nga këndvështrimi im është shumë pozitiv. Është me të vërtet një nismë e cila duhet të përkrahet dhe të zgjerohet.” tha Z. Hashim Rexhepi, Drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Qendror bankar te Kosovës.
Broshura “ Si ti drejtoheni një banke?”, përveç që informon konsumatorët për shërbimet e ofruara bankare, poashtu ndihmon klientët të zgjedhin bankën më të mirë që plotëson nevojat e klientëve.
Në kapitullin e parë broshura jep informacion bazë mbi atë se ç`janë bankat dhe si operojnë, për të vazhduar më pas me dhjetë elementët më të rëndësishme për kreditë si dhe pesë elementët më të rëndësishme, të cilat duhet t’i dijë një person për kursimet.