ProCredit Bank lanson produktin e ri “Eko Kredi“

Prishtinë, 24 Mars 2009 – ProCredit Bank lanson  produktin e ri të kredisë në Kosovë:  ‘Eko Kredi’.Qëllimi i kësaj kredie është që të promovojë financimin e teknologjive për kursim  të energjisë.

Për të përgatitur lansimin e kredive Eko, ProCredit Bank ka pranuar asistencë teknike nga KfW.

ProCredit Bank është banka e parë partnere e një programi kredidhënës të KfW që ka për qëllim të promovojë në mënyrë eksplicite mbrojtjen e ambientit në Kosovë përmes sektorit bankar.

Kreditë Eko janë të dizajnuara për ekonomitë familjare për të financuar investimet dhe masat e marra për  kursimin e energjisë si p.sh instalimi i dritareve të reja me izolues më të mirë, ngrohës uji më efikas apo sisteme më të mira të ngrohjes. Duke investuar në teknologjitë e kursimit të energjisë,  ekonomitë familjare mund të kursejnë para në faturat e energjisë përderisa në të njëjtën kohë kontribuojnë në mbrojtjen e ambientit.

“ProCredit Bank  është banka e parë në Kosovë që ofron Eko kredi. Ky produkt i ri është  në harmoni të plotë me misionin e bankës i cili është ofrimi  i shërbimeve bankare që ndihmojnë në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Kosovës. Mbrojtja e ambientit është një çështje shumë e rëndësishme mbarë botërore dhe shpenzimi efikas i energjisë është veçanërisht i rëndësishëm për Kosovën meqenëse vendi ynë përballet me një mungesë të madhe të energjisë. Ne besojmë që me ofrimin e Eko kredive mund të japim një kontribut shumë të rëndësishëm në bërjen e Kosovës më të pavarur në sektorin e energjisë. Kreditë Eko do t’iu jepen ekonomive familjare sikurse edhe bizneseve të vogla dhe të mesme. Rreth 60% e energjisë që përdoret në një shtëpi përdoret për ngrohje. Nëse ekonomitë familjare investojnë në një izolim më të mirë të shtëpisë dhe një sistem më të mirë të ngrohjes, atëherë mund të zvogëlojnë shumë shpenzimin e energjisë që përdoret për ngrohje“ tha Z. Philip Sigwart - Drejtor Gjeneral i ProCredit Bank-ës.

Sipas Z. Sigwart kërkesat për financimin e investimeve për kursimin e energjisë do të jenë të mëdha në Kosovë për shkak të rritjes së shpenzimeve të faturave të energjisë elektrike. 

“Një qasje e përgjegjshme ndaj ambientit është një pjesë e rëndësishme e imazhit tonë, si dhe e perceptimeve tona për të ardhmen. Përdorimi efikas i energjisë është duke u bërë një çështje e rëndësishme globale për shkak të rritjes së kostos së energjisë, rritjes së varësisë nga importi i energjisë, si dhe për arsye të problemeve ambientale që janë në rritje, konkludoi Eriola Bibolli Zëvendës Drejtoresh Gjenerale në ProCredit Bank Kosovë.