Kartelë e re debiti ekskluzivisht për klientë biznesi

Prishtinë , 12 janar 2006 – Edhe një kartelë e re nga ProCredit Banka Këtë herë është menduar që t’u ofrohet një mundësi më shumë klientëve të biznesit, duke iu ofruar kartelën e parë të këtij lloji në vend, ProCommerce.

“Duke dëgjuar vazhdimisht nevojat e klientëve tanë dhe përpjekjet për një cilësi më të lartë shërbimesh dhe produktesh, ProCredit Banka, ka disenjuar produktin ProCommerce si një zgjidhje adekuate për nevojat e bizneseve specifike”, ka deklaruar Ardian Kastrati udhëheqës i Departamentit të shërbimeve të bizneseve.

Në tregun kosovar shumica e subjekteve juridike kryejnë blerjet e gjërave të ndryshme dhe paguajnë me të holla të gatshme (kesh).

Për këtë arsye ProCredit Banka, po bën përpjekje që të zhvillojë një mënyrë të re të pagesave, mënyrë kjo që tenton të përmirësojë dhe avancojë sistemin e pagesave.

Debit kartela ProCommerce, u kushtohet ekskluzivisht subjekteve juridike në mënyrë që t’u sigurojë atyre dhe biznesit të tyre një mënyrë më të efektshme dhe më të favorshme të pagesave për çdo ditë të blerjes dhe shitjes biznesore.

Kartela u mundëson këtyre klientëve që të kryejnë pagesat nëpër pika shitjeje (më se 1000 POS terminale, duke përfshirë edhe pikat doganore të Kosovës) të ProCredit Bankës dhe të kenë qasje në të holla të tyre në rrjetin e bankomatëve të vendosur anë e mbanë Kosovës.

Një gjë e tillë lehtëson që subjektet juridike të menaxhojnë më mirë dhe më shpejt shpenzimet e biznesit të tyre.

Derisa kërkesa dhe efektshmëria për veprimet bankare, mbesin sfida më e madhe për klientët e biznesit, përparësia e këtij produkti qëndron në faktin e sigurisë dhe shpejtësisë së kryerjes së transaksioneve, ku nuk ka nevojë që të barten të holla të gatshme (kesh), por pagesa për blerje biznesi kryhet menjëherë pasi që të autorizohet transaksioni.

Kartela ProCommerce, është e lidhur drejtpërdrejt me xhirollogarinë rrjedhëse bankare të subjektit juridik. Të gjitha transaksionet që kryhen nevojiten që të autorizohen me numrin sekret (PIN).

Të gjitha subjektet juridike të regjistruara në Kosovë që kanë të hapur llogari biznesi, në ProCredit Bankë mund të aplikojnë për t’u pajisur me debit kartelën ProCommerce.

Kartela u lëshohet përfaqësuesve të ligjorë të llogarisë së kompanisë dhe personave të autorizuar nga po ai përfaqësues.

Aplikacionet për kartelën ProCommerce, mund të mbushën në cilëndo degë të ProCredit Bank, anembanë vendit.