Përpos termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK), ndotje e lartë e mjedisit në Kosovë shkaktohet edhe nga numri i madh i veturave në qarkullim, të cilat, bazuar në statistikat zyrtare, mesataren e vjetërsisë e kanë mbi 18 vjet.
Veturat e vjetra lirojnë sasi të pakontrolluara të gazrave në ajër, të cilat janë të dëmshme edhe për shëndetin e qytetarëve.
Zyrtarë të Qendrës Rajonale të Mjedisit kanë bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës nga veturat që janë në komunikacion, vetëm 2 për qind e tyre janë prodhuar gjatë periudhës së viteve 2010-14, ndërsa 30 për qind e veturave janë më të vjetra se 25 vjet, ku sistemi i djegies së derivateve nga këto të fundit nuk i plotëson kriteret evropiane të mbrojtjes së mjedisit.
ProCredit Bank është biznesi i vetëm në Kosovë që ka investuar në vetura që furnizohen nga burimet alternative të energjisë, duke e zëvendësuar kështu një pjesë nga flota e veturave ekzistuese me vetura hibride, vetura elektrike dhe vetura efiçiente sa i përket shfrytëzimit të karburante.
“Aktualisht në ProCredit Bank i kemi në shfrytëzim 13 vetura hibride, 10 vetura elektrike. Qëllimi është që brenda një periudhe të shkurtër kohore gjysma e veturave të bankës të jenë hibride apo edhe elektrike”, thotë Gëzim Tropoja, udhëheqës i Njësisë së Mjedisit në ProCredit Bank.
Tropoja sqaron se veturat hibride kanë efiçiencë të lartë nëse voziten në qytet, ndërsa nëse përdoren jashtë qytetit nuk sigurojnë shumë efiçiencë.
“Për vetura hibride është e vështirë të bëhen kalkulime se sa shpenzojnë, pasi që varet shumë nga mënyra se si përdoren veturat”.
Udhëheqësi i njësisë për Mjedis në ProCredit Bank sqaron se në Kosovë nuk ka shumë kompani që shesin vetura hibride apo elektrike. Madje, me njërën nga kompanitë kosovare që shet vetura hibride ProCredit Bank ka marrëveshje për aplikim të normave preferenciale të interesit në kredi.
Sipas tij, kohëve të fundit interesimi i klientëve për blerjen e këtyre veturave është rritur, por, siç thotë ai, kjo rritje nuk është edhe shumë e madhe duke marrë parasysh edhe ofertën për vetura të tilla në treg.
Ndërsa Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, thotë se gjatë vitit 2015 në Kosovë janë importuar 10 vetura elektrike të reja markës “Mitsubishi”, vlera e faturuar për secilin ka qenë nga 19000 euro.
Ndërsa një vit më vonë, sipas Stavilecit, është importuar një veturë e elektrike e markës “Tazzari”, e prodhuar dhe e regjistruar për herë të parë në vitin 2010.
Kjo veturë, sipas tij, ka pasur vlerën e faturuar 5400 euro.
Në anën tjetër, Arif Krasniqi, kryetar i Partisë Ekologjike të Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i subvencionojë qytetarët, të cilët dëshirojnë të blejnë vetura hibride, ose me rrymë, të cilat nuk e ndotin ambientin.
Sipas tij, me një vendim të tillë të subvencionimit të veturave do të arrihet të zvogëlohet niveli i ndotjes së ajrit dhe njëkohësisht do të zvogëlohen shpenzimet e qytetarëve.
“Veturat e tilla kanë efekte të dyfishta; Zvogëlojnë nivelin e ndotjes së ambientit, si dhe zvogëlojnë shpenzimet e pronarëve të automjeteve”, shprehet Krasniqi.