Revolucioni digjital i bankave

Bankimi në Kosovë ka avancuar dukshëm viteve të fundit, duke e lënë mbrapa praktikën e kryerjes së shërbimeve të klientëve brenda sporteleve të degëve të bankave komerciale dhe është fokusuar në digjitalizimin e shërbimeve.

Krejt kjo si rezultat i zhvillimeve teknologjike globale, të cilat kanë nxitur bankat komerciale në Kosovë që t’i digjitalizojnë shërbimet e tyre për klientët.

Tashmë për klientët e bankave janë në dispozicion shërbimet e automatizuara, të cilat përveçse ofrojnë komoditet në kryerjen e transaksioneve bankare, qasje në para cash dhe pagesa 24 orë gjatë 7 ditëve të javës, mundësojnë edhe pavarësim nga orari zyrtar i punës së bankave dhe njëkohësisht kanë kosto më të ulët financiare.

Disa nga bankierët kosovarë madje kanë vlerësuar se digjitalizimi i shërbimeve bankare sjell ndryshime revolucionare.

Në Bankën Qendrore të Kosovës(BQK) pohojnë se bankat komerciale në vend po investojnë me automatizimin e shërbimeve financiare, me ç’rast, sipas tyre, Kosova prin me disa instrumente të pagesave elektronike në rajon.

“Bazuar në të dhënat e mbledhura dhe analizat që dalin nga krahasimi i të dhënave me vendet e rajonit, të cilat po ashtu investojnë në automatizimin e shërbimeve financiare, mund të themi se Kosova prin me disa instrumente të pagesave elektronike në rajon”, ka thënë Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së.

Çarkaxhiu: ProCredit Bank, pioniere në avancimin e shërbimeve bankare

Albena Çarkaxhiu nga ProCredit Bank thotë se kjo fundit është pioniere në Kosovë në avancimin e shërbimeve të saja bankare, duke ofruar platformë të sofistikuar digjitale dhe duke dhënë një shembull të mirë të rimodelimit të biznesit në hap me kohën.

“Prej vitesh banka jonë ka qenë e përkushtuar në rritjen e cilësisë së shërbimit për klientë, dhe kemi intensifikuar investimet në fushën e teknologjisë bankare”, ka bërë të ditur Çarkaxhiu.

Ajo ka bërë të ditur për shtojcën e specializuar për banka “iBank” se aktualisht në ProCredit Bank  99% e të gjitha transaksioneve bankare kryhen përmes këtyre kanaleve (e-Banking, Zona 24/7).

”Pra, klientët kanë ‘përqafuar’ fuqishëm ofrimin e kësaj mundësie të bankimit”, ka thënë Çarkaxhiu, duke shtuar se aktualisht banka ProCredit ka 45 Zona 24/7, të integruara në degët e saja në mbarë Kosovën.

Përparësia e Zonave 24/7, sipas saj,  është se janë të hapura 24 orë gjatë 7 ditëve në javë dhe se implementimi i këtij koncepti ka rritur pavarësinë e klientëve në menaxhimin e transaksioneve dhe kohës së tyre. Kështu që të gjitha transaksionet bazike bankare kryhen thjesht, lehtë me komfort maksimal dhe me tarifa dukshme më të lira se në degët e bankës.

Zonat 24/7 janë të pajisura me një teknologji dhe sistem shumë të avancuar të bankimit, ku klientët mund të kryejnë një sërë shërbimesh siç janë, tërheqja dhe deponimi i keshit,  kryerja e pagesave të faturave mujore, kryerjen e transferteve kombëtare e ndërkombëtare dhe shërbime të tjera bankare.

‘Pra, koncepti i implementimit të Zonave 24/7 është që t`i ofrojmë klientit shërbime rutinore bankare 24 orë, në 7 ditë të javës, ndërsa brenda degëve të ofrojmë këshilldhënie të avancuar për shërbime më komplekse bankare’, ka shtuar ajo.

Digjitalizimi i shërbimeve për bankën bën optimizim të kostos dhe njëkohësisht ofron shërbime efikase ndaj klientëve, ndërsa për këta të fundit ofron komoditet në kryerjen e transaksioneve të tyre,  qasje në kesh dhe në pagesa 24 orë, 7 ditë në javë, të pavarur nga orari zyrtar i bankës, përderisa shërbimet përmes këtyre kanaleve bëhen me kosto shumë më të ulët se në degët e bankës.

Digjitalizimi, realitet global

Petrit Balija, drejtor i Shoqatës së Bankave të Kosovës, pranon se digjitalizimi i shërbimeve bankare është një realitet global, i cili ka marrë hovin paralelisht me zhvillimin e teknologjisë informative dhe krijimit të shprehive të reja të konsumatorëve.

“Ne jemi dëshmitarë të një transformimi shoqëror që ka prekur edhe Kosovën, ku shumica prej nesh ka qasje në internet dhe posedon një pajisje kompjuterike dhe një telefon të mençur. Këto pajisje janë bërë pjesë e jetës e në veçanti për një popullatë të re si e ka Kosova, të cilët janë të prirë të integrojnë këtë teknologji në jetën e tyre të përditshme. Konform këtyre zhvillimeve edhe bankat kanë bërë përshtatjen e shërbimeve të tyre dhe tani ofrojnë platforma të reja digjitale për të kryer bankingun”, shprehet Balija.

Sipas tij, bankat përfitojnë nga ky digjitalizim, pasi që në këtë mënyrë vazhdojnë te ruajnë relevancën e tyre në treg, duke iu përshtatur nevojave të konsumatorit, gjegjësisht klientëve bankarë, ndërsa  klientët përfitojnë nga shërbimet më të shpejta dhe më të lira në krahasim me shërbimet manuale.

Duke i krahasuar shërbimet që u ofron klientëve të bankave në vend, në raport me vendet e rajonit, Balija thotë Kosova ka arritur t’i tejkalojë disa shtete në aspekte të caktuara.

“Nëse shohim numrin e llogarive e-banking, Kosova qëndron më mirë se Shqipëria, Bosnia dhe Hercegovina dhe Mali i zi. Përderisa Maqedonia ka një numër dukshëm më të lartë të llogarive e-banking. Po ashtu me kartela të kreditit dhe debit kartela Kosova qëndron mirë, përderisa ka ngecur mbrapa rajonit sa i përket bankomatëve (ATM) dhe pikave të shitjes (POS)”, sqaron Balija, duke shtuar se sipas strategjive zhvillimore të bankave komerciale për vitin 2017, shihet se do të ketë investime edhe më të mëdha në këtë drejtim.

Efekt minimal në punësim

Edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se nëse duam ta forcojmë konkurrencën bankare, atëherë guximshëm duhet të shkojmë në drejtim të digjitalizimit.

“Kosova një ditë do jetë pjesë e tregut unik financiar evropian dhe ky drejtim do të imponohet”, shprehet Sadiku.

Megjithatë, sipas tij, digjitalizimi do të ndikojë në shkurtimin e vendeve të punës në bankat komerciale.

Por, shefi i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se automatizimi i shërbimeve bankare ka një ndikim të caktuar në zvogëlimin e numrit të punëtorëve në disa departamente dhe pozita të ndërlidhura me shërbimet manuale.

“Numri i përgjithshëm i punëtorëve në sektorin bankar ka qëndruar stabil, ku në nëntor të vitit 2016 janë evidentuar 3.358 punëtorë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015 kur ishin 3.387 punëtorë, që do të thotë se ka pasur reduktim për më pak se 1%”, sqaron Balija.

Edhe zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës pranojnë se investimet në teknologji paraqesin avancim në procesin e punës dhe rritje të efiçiencës.

Kjo, në mënyrë indirekte, sipas tyre, mund të ketë efekt në eliminimin e nevojës për pranimin e stafit të ri në banka si një institucion që është ekuivalent me çdo institucion tjetër privat që ka për qëllim fitimin.

Megjithatë, sipas zëdhënësit të BQK-së, Besnik Kada, përgjatë periudhës së operimit të bankave në Kosovë, mbi 10-vjeçare, numri i stafit ka qenë përgjithësisht stabil edhe përkundër avancimeve të  vazhdueshme teknologjike të bëra nëpër banka.